Alpina - Alma

HEUUU, SA DHEMB DHIMBJA!


HEUUU, SA DHEMB DHIMBJA! Heu..! (ai më sheh me mëdyshje, prej tingullit që dëgjoi a s'dëgjoi gjë?) babushi im, ka lënë mustaqe të bardha mbi buzë ama ka dhe një "kokë-lakër" pa flokë, (sytë gërshetoj me nënën) ajo gjithnjë e brengosur, ama sytë i bëhen më blu prej lotëve të lagur. Heu...! Kërkoj muzikën e Vivaldit (vetëm ai di t'më kuptojë, me raste jo gjithmonë) e nuk di si dhe pse të gjitha të qeshurat e qytetit madje dhe motorrët e naftës që krijojnë energjinë e munguar, bëjnë rezonancë arpezhiale brenda daulles time të veshit, (këmbët vallëzojnë kuturu). Heuu..! Qëndroj shtrirë në të njëjtën lartësi, (pa frikën se rrëzohem) pezull mbi horizontalen e bardhë, twist kërcen një pulë e rrjepur në pjatë, spageti luan tangon me pirunin dhe salcën, (ah, pulë mashkull që s'bën dot një supë) po të tjerat ç'janë?? Heuu..! Nuk shoh as bukur dhe as qartë, po festoj javën rutinë me ushtri antitrupash në gijotinë, m'u helmuan rruazat e bardha në mesnatë. Heuu..! Ç'temperaturë e lartë (faqet e mureve janë akull) televizori presion i qartë, (nënokja e babushi janë stampuar para ekranëve) ndryshe do ishin tretur prej halleve. Alma Begaj - Durrës 11.03.2015