Alpina - Alma

PAK NGA PRILLI 2015


23-26 Prill 2015 PËSHPËRITJE Një det që s’pushon kurrë së foluri kohë e pa kohë orë e pa orë. Përballë meje vrapon së prapthi e rikthehet sërisht veç me fjalë. Me pëshpërima m’i kreh flokët dora e brishtë e syvalës. Por unë di ta dëgjoj detin edhe brenda një guacke. DIELLADET U fsheha brenda buzëqeshjes ndoqa rrugën e së dielës. E putha diellin buzë më buzë zhuritur puthjes zjarrmshpuzë loti u gjunjëzua nën hundë këndoi faqeve gjer në gushë. E kapërceva bulevardin afërmendsh përballë detit bëhem rrjedhë ujëvare tangon nis me një dallgë. Dielladet titullkënga fytit ngjirur rrëshket vera melodia zbret ngadalë kryqëzohem si pulëbardhë. DUKE PRITUR TË AGOJË Duke pritur të agojë qëndroj në shtratin e natës si një varkë në errësirë që breg kërkon spiranca e ëndërrave ka nxjerrë thonjtë e të linjtat gjakos druaj se jastëku i çdo nate bymehet lotësh e më fundos pres agun heshtur si një varkë pa spirancë. MË DUHET TË FLE TANI! Më duhet të fle tani, a mund të fle? Po, më duhet të fle pak në stolat e stacionit që të mund të kap një tren, një tren që të më shpjerë diku, diku larg nga këtu. Nuk di pse jam e sigurt se asnjë vagon nuk ka një vend bosh për mua, qoftë dhe në këmbë, edhe nëse gjithë trenat do t’i ruaj kur vijnë apo do t’i shoqëroj me pagjumje kur shkojnë. A ka më shina për trenat? Stacionet a kanë trena? Edhe stolat qenkan zënë nga të pastrehët.. NDËRHYRJE Frymoj ngadalë sepse mendimi për ty është bërë gjilpërë me fije dhe hyn e ndërhyn në qepjet indore brenda qenies sime, mbytur jam në narkozë me dozë dopio dashurie e s’kam si ndjej dhimbje, nuk gaboj kur them se kjo ndërhyrje kirurgjie ma arnon ëmbël shpirtin me fije. PËRPUTHJE Puthje e butë frymë e ngrohtë pas veshit lehtë dhe përmbi gjokse mbështjellur krahësh shtrënguar kofshësh fle hëna me yllin në blunë e qiellit. TË VESH ME FJALË Të vesh me fjalë formave të bukura sikur një pemë gjigande në mes të një pllaje ia ledhatojnë trupin degët me gjethnaja, të vesh çdo linjë me muskuj të ëmbël sikur një lumë i vrullshëm në mespranverë kërkon dashuritë jashtë shtratit të vetë, me fjalë të vesh me mendje të zhvesh realisht je lumë që shtratin ke tek unë. ASGJËdt. 22.04.2015 Sytë pafund rrotullohen, rrotullohen mes zgavrave si zero brenda zeros, shpërndajnë shikimet tej e tej asgjësë dhe mbeten autor i asgjësë. Në gjeometri ngjyrash kërcejnë me njëri-tjetrin tango abstrakte pa tinguj, pamja në çast zhbëhet si flluskë, a është zero sferë e asgjësë?Alma Begaj